Tuesday, April 13, 2010

Publike, domethane...

Astrit CANI

Publike do të thotë: më lejo të jem njeri.


Në një shoqëri ku puna ka munguar përjetësisht, ndodh kjo tragjedi: duke mos pasë mbuluar kurrë një rol të caktuar, duke mos u specializuar asgjëkundi, njerëzit priren të bëjnë si të gjithëditur. Ky është një nga problemet madhore të shoqërisë sonë.
Na ndodh për shembull, kjo: i themi dikujt se po bëjmë një gazetë, d.m.th. i themi se e kemi nxjerrë në treg ka një muaj, se e kemi bërë. Është e sigurt se cilido qoftë ai që e merr kumtin tonë, do fillojë të na bëjë aty për aty pra live, një gazetë se si bëhen gazetat.
Mund të shohim rastin e shkrimtarit që e kemi parë njëherë. Shkrimtari supozohet të jetë njeriu i përkushtuar absolutisht, aq i përkushtuar ndaj punës sa e kryen atë edhe pa shpërblim edhe pa rikonoshiment. Rasti i shkrimtarëve shqiptarë flet qartë, ata, biles më të mirët ndër 'ta, janë akoma shumë të zënë duke bërë si shqiptarë, mandej më të zënë se duke bërë letërsi, duke rënë pré e një të keqeje që e konstatojnë edhe vetë. Pra, të qenit shqiptar është kthyer në profesion.
Dikur Rilindja u përpoq ta kthente të qenit shqiptar në fé, në fenë e vetme. Kjo qe efikase deri në ditët tona. Por, kjo, sikundër kisha greke (që i përbashkon grekët rreth një identiteti) nuk prodhoi kulturë reale. Kultura reale prodhohet nga liria. Kultura reale që u prodhua ndër shqiptarë, erdhi pikërisht nga ata që morën nga kulturat e mëdha dhe sollën lirinë e mendimit brenda mendimit, pra në vitet ‘30. E përsërisin shqiptaria si fe nuk prodhoi kulturë. Kulmi i tendencës për ta shitur shqiptarinë si fé i përket politikës komuniste, periudhës sonë më të varfër në mendim dhe në liri shprehje, pra edhe në kulturë. Kulmi i tendencës së kundërt është në vitet tridhjetë, kur shteti mendonte si të forconte shtetin, ose gjënë publike (pavarësisht se nuk ishim republikë por monarki), dhe intelektualët mendonin si të forconin intelektin ose gjënë racionale. Në këtë periudhë si rrallë herë në historinë tonë, në shoqëri flitej për ide dhe jo për persona. Idetë janë gjëja publike.
Në Shqipëri anatemohet një person për shkak të ideve të tij, por më shumë anatemohet një ide për shkak të personit. Një ide e mirë nuk pranohet nëse vjen nga një person, apo nga një krah i politikës, apo nga një përfaqësi fetare, apo nga një zonë e Shqipërisë apo e botës, nëse personi nuk gëzon respektin e verbët të auditorit, ose proftasësit. Kjo pra është situata mizofike, që i kundërvihet shpirtit iluminist. Shpirt iluminist që nuk i kam munguar profetëve, si në rastin e Muhametit, kur thotë se fjala e urtësisë është si kafsha e humbur – besimtari duhet ta marrë kudo që e gjen.
Duke ndenjur te bota e librit si institucion të mirëfilltë të publikes, mund të vëmë re se përvoja shumë e mirë e botuesve dhe e intelektualëve kosovarë kalojnë pothuajse e papërfilluar nga establishmenti kulturor tiranas. Me përjashtim të ndonjë poetuci që i bën reklamë vetes në të gjitha mediat, vlerat e vërteta librare që krijohen në Kosovë nuk përcillen. Ndërkohë që editoria kosovare ka qenë ajo që ka ruajtur modernizmin dhe sjellë e para postmodernizmin qysh në vitet shtatëtëdhjetë, kur në Europë kishte akoma avangarda (si situacionistët), dhe me ndonjë ndërprerje. Kjo është ajo pjesë e kulturës së shkruar shqiptare që me përfaqësuesit e vet më të lartë përbën urën lidhëse me frymën e viteve tridhjetë.

* * *

Kur po ky establishment mbron gjuhën standarte, nuk e mbron siç duhet mbrojtur gjëja publike, por e mbron nga gjëja publike. E mbron si diçka private, personale, si një lloj lakuriqësie logjike. Që të vazhdojë tu bëjë të tjerëve me nxanë injorancën e vet: per professare la propria ignoranza.
Mbrojtja e standartishtes bëhet duke mbrojtur cilësinë e përkthimeve, botimeve, recensioneve, me një fjalë duke futur kriterin. Por në vend që të mbrohet estetikisht, ai mbrohet “politikisht”, por kjo mbrojtje e dëmton më shumë se gjithçka, pasi i heq pikërisht anën estetike. Vrasëset e këtij standarti janë gazetat, pra vetë mbrojtëset politike të tij.
Mungesa e publikes, është kjo: një vend që nuk të lejon të jesh njeri. Sepse njeri mundesh me qenë vetëm brenda publikes, pra duke i lejuar dhe duke i ndihur edhe të tjerët të jenë njerëz.

* * *

Tani, ka që thonë se kjo është një shoqëri e marrë fund. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Nuk ka si të jetë i marrë fund populli më i ri në Europë. Argumente të tjera nuk po jap. Kjo shoqëri nuk ka filluar akoma.