Sunday, May 3, 2009

Big brother is watching you

Armand Dedej

“Big brother is watching you”*

I madhi G. Orwell ka qenë ndoshta i pari që kuptoi, se fytyra e vërtetë e totalitarizmit nuk ishte as forma naziste e tij dhe as ajo staliniste, dhe se përtej marrëzisë së modeleve ideologjike, kulmin dhe përmbushjen përfundimtare të natyrës së tij totalitarizmi do ta arrinte kur qenia njerëzore do gjendej e vendosur përpara një ekrani që shihej dhe që të shihte. Dhe, në këtë moment fatal, njerëzoja do rrezikonte të merrte fund.
A ndodhemi tashmë pikërisht në këtë moment fatal? A rrezikon të shfaroset njerëzoja prej këtij ekrani njeringrënës?
Kur vë re (ndër të tjera), se sa shumë është përhapur ndikimi i të ashtëquajturve “reality show”, të krijohet natyrshëm përshtypja se mund të jetë paksa si tepër vonë për të bërë pyetjet e mësipërme, të cilat tashmë tingëllojnë më shumë si përgjigje se si pyetje. Prandaj, nuk ka kuptim të ngurrojmë të pranojmë se ndodhemi në formën më totalitare të totalitarizmit; në totalitarizmin e imazhit teknologjik.
E thënë shkurt, imazhi teknologjik është ajo çfarë na ofron televizioni, ose e thënë me gjuhën e G. Debord-it: spektakli. Këtë të fundit, Debord-i e konsideron si një rrjedhojë të natyrshme të teknologjizimit të jetës, duke pohuar se spektakli, si një lëvizje autonome e të pajetës, shndërrohet në një inversion konkret të jetës, dhe si i tillë, normalisht ai i kundërvihet jetësores duke synuar ta sundojë atë. Gjithashtu, pasi na bën të ditur se e gjitha kjo në thelb ka të bëjë me çarjen botës në imazh dhe realitet, ai na sugjeron se në fund të fundit spektakli thotë vetëm një gjë: “ajo që duket është e mirë, ajo që është e mirë duket”.
Megjithëse Debord-i e shkruajti veprën e tij “Shoqëria e spektaklit” përpara se tevlevizioni të prodhonte dukurinë e “reality show”-t, analizat e tij vazhdojnë të jenë tepër impresionuese për nga thellësia e tyre dhe nuk mund të flasësh dot për këtë dukuri televizive, pa iu referuar këtyre analizave.
Në rastin e “reality show”-t, çështja e çarjes së parekuperueshme ndërmjet imazhit dhe realitetit “rregullohet” që tek vetë termi në fjalë, i cili na flet për diçka që është edhe realitet edhe dukje (pra, reality dhe show). D.m.th. se në rastin konkret ndodhemi në një gjendje përtej kësaj çarjeje, ku nuk ka më kuptim të flitet për ‘të, sepse tashmë: dukja është realitet dhe realiteti është dukje. Realiteti i gjorë, i cili mbase ishte akoma gjallë në kohën e Debord-it, tashmë na ka lënë shëndenë dhe na bën të fala nëpërmjet ekranit. Kështu, pas “Big brother”-it (apo edhe formave të tjera të reality show-t), nuk ka më kuptim të flitet për realitet si diçka jashtë dukjes së imazhit, pasi tashmë përderisa dukja është realitet dhe anasjelltas, kjo do të thotë se imazhi është kusht egzistencial i realitetit dhe se nuk ka realitet jashtë dukjes.
Ky rezultat na nxjerr në konkluzionin teorik se nuk ka më kuptim të flitet për Ontologji, pasi e vetmja Ontologji është Fenomenlogjia e spektaklit.
Është e qartë, se tashmë njerëzorja është nën kthetrat e imazhit teknologjik, i cili po e tjetërson atë thellësisht, pasi siç na pohon edhe Debord-i: “Spaktakli nuk është një bashkësi imazhesh, por një raport social mes personash, i ndërmjetësuar nga imazhet.” Kjo do të thotë, se imazhi teknologjik është bërë tashmë një kusht bazik i jetës shoqërore, që i jep trajtë kësaj të fundit duke e dominuar atë dhe përmes saj duke dominuar njeriun si qenie sociale që është.
Në rastin e “reality show”-t, kësaj që sapo thamë më sipër, i shtohet dhe fakti se qeniet njerëzore shndërrohen në kavje, duke u bërë objekt eksperimenti prej imazhit teknologjik që i dominon, pasi ata mbyllen në një shtëpi të kontrolluar tërësisht nga kamerat duke e ditur dhe pranuar paraprakisht një gjë të tillë. Ndërkohë, njerëzit që shohin përmes ekranit aktivitetin e personave në shtëpinë e survejuar, nuk shohin gjë tjetër, veçse tërësinë e veprimeve rutinore të jetës së tyre të përditshme. Kështu, shikuesit gjenden përballë imazhit të vetvetes si qenie të rëndomta në jetën e tyre të përditshme, e cila tashmë i imponohet përmes ekranit duke i sunduar përmes injektimit të një pasiviteti të propaganduar vizualisht. Ky pasivitet është mpirja e njerëzores nga imazhi teknologjik, prandaj Debord-i do të thotë për spektaklin se ”Ai është dielli që nuk perëndon kurrë mbi perandorinë e pasivitetit modern.”, duke bërë që në sajë të tij të perëndojë vetë njerëzorja. Nga ana tjetër, personat që marrin pjesë në një “reality show”, të cilët duke qenë njerëz të zakonshëm presupozohet se në vendin e tyre mund të ndodhet kushdo (dhe kjo është një tregues i qartë i natyrës totalitare të kësaj dukurie), janë deshët e kurbanit që sakrifikohen në favor të mpirjes asfiksuese të njerëzores prej imazhit teknologjik (ose, spektaklit). Këta mjeranë të rëndomtë, të cilëve u propagandohet se mjafton të jenë vetvetja dhe do të bëhen vip-a, janë shprehje e qartë e vetëvrasjes së njerëzores përmes kyçjes në burgun asfiksues të imazhit teknologjik, i cili është mbyllja e horizontit të jetësores nga një lloj dukjeje që i kundërvihet njerëzores me forcën e një entiteti mekanikisht autonom, i cili synon ta shkrijë njerëzoren tek vetja, duke e bërë atë të besojë se është thelbi i saj.
Dhe ajo çfarë mbetet prej gjithë këtij procesi, është krijimi i një qenie të verbër apatike, që sheh vetëm verbërinë ontologjike që i ofron imazhi i vet teknologjik, i cili i qëndron përballë përherë e më imponues dhe i pashmangshëm.
Ky është (me sa duket) rezultati i epokës së totalitarizmit të imazhit teknologjik, në të cilën, me zhdukjen e njerëzores, fraza e mësipërme e marrë nga kryevepra e Orwell-it, do të përfundonte duke u bërë: Big brother is watching itself.